Vrasje raciste në Kaliforni

19/04/2017 00:00

Tre meshkuj të bardhë mbetën të vrarë e një tjetër u plagos, nga një person me ngjyrë që hapi papritur zjarr mbi ta në Fresno të Kalifornisë. Policia mendon se bëhet fjalë për një sulm me sfond racor.

Kori Ali Muhammad qëlloi 16 herë në 90 sekonda, por edhe pse bërtiste në arabisht “Zoti është i madh” kur efektivët i vunë prangat, autoritetet e sigurisë janë thuajse të bindur se gjenden përballë një sulmi nga urrejtja dhe jo një akti terrorist.

“Ky ishte një akt dhune me shënjestra të rastësishme. Një sulm i paprovokuar nga ana e një individi, që ishte nisur me qëllimin të vriste njerëz sot”, tha Jerry Dyer, shef i policisë lokale.

39-vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasjen e rojes së sigurisë së një moteli në të njëjtin qytet, javën e kaluar. Mesazhet e tij në mediet sociale kanë qenë të mbushura me urrejtje për të bardhët dhe për politikat qeveritare.

Njëri prej viktimave u qëllua ndërsa qëndronte i ulur në makinen e tij. Objekti i agresorit, sipas krerëve të policisë, ishte të vriste sa më shumë njerëz që të mundej. Ngjarja, me shumë gjasë do të rindezë debatet e ashpra mbi kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara, ku nga dhuna e tyre, në mbarë vendin vriten çdo vit mbi 30 mijë vetë.

Top Channel