Nderohet me “Urdhrin e Lirisë”, McCain: SHBA, në krah të Kosovës

14/04/2017 00:00

Senatori John McCain tha se ndihet krenar për arritjet e Kosovës, por kujtoi se ka shumë rrugë për të ecur përpara.

Në fund të vizitës së tij në Prishtinë, ku porositi që Kosova duhet të bëjë ndryshime duke votuar Demarkacionin me Malin e Zi, por edhe garantoi mbështetje për ushtrinë në rast të ndryshimeve kushtetuese, u ndërua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti Hashim Thaçi.

“Ju, në punën dhe angazhimin tuaj për çlirimin e Kosovës dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale për çdo njeri, për çdo komb”, u shpreh Hashim Thaçi, President i Kosovës.

McCain tha se do të angazhohet për mbështetjen e Kosovës.

“Ka ende shumë milje për të ecur, por mendoj se populli i Kosovës duhet të jetë krenar për arritjet. Do të bëj të pamundurën që të siguroj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe popujve të tjerë, por sidomos të SHBA-ve, për të siguruar se Kosova do të jetë e lirë, demokratike dhe e bukur siç është sot”, tha senatori amerikan John McCain.

Vizita e McCain u prit me interes në të gjithë rajonin, pasi është angazhimi i parë i tillë nga Uashingtoni, pas ndryshimit të administratës amerikane.

***

John McCain e artikuloi qartë në intervistën e dhënë “Deutsche Welle”-s, se cili ishte thelbi i rrugëtimit të tij në Europën Juglindore.

“Mesazhi im është i thjeshtë, – tha senatori republikan, njëherazi ish-kandidat për president. – Angazhimi i Shteteve të Bashkuara për një Europë të lirë dhe në paqe mbetet i hekurt dhe miqtë e mi, një Kosovë e pavarur, e fortë demokratike dhe shumetnike, si anëtare e plotë e familjes europiane, ka rëndësi kyçe në suksesin e këtij vizioni”, deklaroi senatori McCain.

Senatori kujtoi sesi Kosova është rreshtuar prej 3 vitesh në krahun e aleancës  globale kundër terrorizmit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ky fakt, sipas tij, është tejet domethënës për Uashingtonin zyrtar.

Vizita e McCainit në rajon vlerësohet si tregues i përkushtimit amerikan ndaj Ballkanit, e njëkohësisht si shenjë e përpjekjeve për të ngritur një barrierë ndaj rritjes së ndikimit rus në rajon.

Senatorin amerikan, Kosova e nderoi me titullin më të lartë “Urdhri i Lirisë”. Ky çmim iu dha atij për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Për nder të McCainit, Kuvendi i Kosovës organizoi një seancë solemne, ku ligjvënësi amerikan iu drejtua me një fjalim deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës. John McCain tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj europiane, ndërsa nuk kurseu lëvdata për Kosovën dhe angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

McCaini qëndroi për dy ditë në Kosovë, e pasdite mbërrin në Tiranë, ku do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili do të vazhdojë më pas me një darkë.

Top Channel