Kulla kalon në Kuvend; OK investimit 250 milionë dollarë

13/04/2017 00:00

Parlamenti i hapi rrugë ngrtitjes së grupit të punës që do të negociojë marrëveshjen me kompaninë “Al Habtoor”, për ndërtimin e kullës ikonike të Tiranës.

Një investim privat prej 250 milionë dollarësh që kërkohet të zbatohet në bulevardin e ri të Tiranës. Në të njëjtën seancë u miratua dhe shtesa e financimit prej 35 milionë dollarësh për ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan.

Kredia, e cila jepet nga Banka Islamike për Zhvillim, hapi debate për mënyrën se si projektohen rrugët në Shqipëri, ku për shkak të gabimeve shpenzimet i tejkalojnë parashikimet.

“Ka pasur që në fillim të projektit mungesë të studimit gjeologjik. Unë i mirëkuptoj shqetësimet e deputetëve. Aty ku vërehen shkelje apo shpërdorime të detyrës publike do të ketë dhe masa. Por besoj se gjëja më e rëndësishme në këtë proces është të përfundojmë rrugën”, deklaroi ministri i Transporteve, Sokol Dervishi.

Parlamenti votoi me votat e mazhorancës edhe ndryshimin e marrëveshjes me gazsjellësin Trans-Adriatik, që parashikon më shumë të ardhura për Shqipërinë dhe ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja duke zgjatur afatin e mbrojtjes së posaçme deri më 31 dhjetor 2018.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA