“Lufta e prillit”, ankth në Seul e Tokio pas tensioneve me Veriun

12/04/2017 00:00

Lajmi i ashpërsimit të tensioneve me Korenë e Veriut ka sjellë reagime të ndryshme në rrugët e Seulit dhe Tokios. Në kryeqytetin koreano-jugor, titujt e parë të gazetave paralajmëronin për të shumëpërfolurën “luftë të prillit”.

Disa prej banorëve e përkrahin idenë e një Amerike më të rreptë ndaj vendit komunist, ndërsa të tjerë mbeten skeptikë.

“Shtetet e Bashkuara e treguan qartë përmes sulmit në Siri, se nuk do të mjaftohen vetëm me fjalë. Kanë kthyer këtej një aeroplanmbajtëse dhe po lëvizin armë në gadishullin korean. Ky është qëllim i hapur për luftë. Koreja e Jugut duhet të përgatitet gjithashtu”, tha Lee il-Ho, banor.

“Nuk besoj se do të shpërthejë ndonjë luftë. Ka pasur gjithmonë kërcënime, por asnjëherë nuk janë vënë në jetë vërtet. Për më tepër, Koreja e Veriut nuk është në situatën që të mbështetet nga të tjerët. Nuk e nis dot luftën e vetme”, tha Jin-Joo, studente.

“Do të ishte e tmerrshme nëse ndonjë raketë do të godiste gabimisht Tokion. Besoj se qeveria japoneze duhet t’i përmirësojë kapacitetet e saj të mbrojtjes e të shpenzojë më shumë parà për këtë qëllim”, tha Yunosuke Tanaka, student japonez.

“Të them të drejtën, përpiqem të mos e mendoj shumë, por këtu çdo gjë mund të ndodhë. Dhe kur më kalon ky mendim nëpër mendje, frikësohem shumë”, tha Hiroko Oda, biznesmene.

Një ditë më parë, Donald Trump shkroi në “Twitter” se Peniani po i kërkon vet telashet dhe i bëri thirrje Kinës të ndihmojë për frenimin e tij. Pekini është cilësuar si aleati më i rëndësishëm i Koresë së Veriut dhe burimi kryesor i saj për ushqime, armë dhe energji.

Top Channel