Reforma që rriti kostot: 35 mln USD më shumë

11/04/2017 00:00

Sipas Ministrisë së Financave, pas hyrjes në fuqi të ndarjes së re territoriale, shpenzimet për pagat e pushtetit vendor u rritën me 35 milionë dollarë.

“Iu është lënë në duar njësive të reja që të marrin dhe të punësojnë administratorë, janë lënë në duar disa struktura të reja që kanë funksione përgjegjësie të pacaktuara qartë, por thjesht që kanë një buxhet të caktuar dhe shpenzojnë për paga. Rritja me 35 për qind e fondit të pagave rrëzon komplet filozofinë që kishin këta, se do të kursenin 80 milionë dollarë në vit shpenzime nga pagat”, tha deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Por ministri i Shtetit për Çështjet Vendore shpjegon se rritja e shpenzimeve ka ardhur për shkak se bashkive u janë transferuar struktura shtesë, të cilat më parë i paguante qeveria.

“Ne kemi 5 funksione të reja që i kanë kaluar pushtetit vendor: Shërbimi i zjarrfikësve, pyjet dhe kullotat, mbi të gjitha personeli i shkollave apo personeli i kopshteve, që përbën një masë të madhe”, tha Eduard Shalsi.

Sipas Shalsit, e zhveshur nga ky efekt, reforma u ka kursyer qytetarëve 10 milionë dollarë vitin e kaluar.

“Do të ishte naivitet të besohej se një reformë e përmasave të tilla të jashtëzakonshme, mund t’i jepte frytet e veta brenda një kohe kaq të shkurtër. Me këtë reformë i është hapur rruga shumë zhvillimeve të reja, pasojat e të cilave një pjesë i ndiejmë tani, siç është rasti i kanaleve të kullimit apo shërbimeve të tjera të përmirësuara, një pjesë do t’i ndiejmë me kalimin e kohës”, tha Shalsi.

Por opozita thotë se reforma u bë vetëm për qëllime elektorale, ndërkohë që qytetarët janë më keq me ndarjen e re administrative.

“Marrin më pak shërbime. E kanë të pamundur të kenë të njëjtën qasje te pushteti vendor, siç e kishin më parë, ndërkohë që nga ana tjetër të gjithë pushtetet vendore në masë kanë rritur taksat dhe tarifat”, tha më tej Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA