Tre të arrestuar, një kryeplak fshati mes tyre, dhe plot 11.650 kg kanabis sativa të sekuestruara janë përfundimi i operacionit antidrogë të koduar “Pagri” të ndërmarrë nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.
Sasia rekord e lëndës narkotike u sekuestrua një ditë më parë në njërën nga 3 ish-depot e rezervave të shtetit në fshatin Pagri të Përmetit. Dy prej administratorëve të këtyre depove janë arrestuar, konkretisht Rustem Muçelli, 51 vjeç, dhe Eqerem Ali, 60 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim një i tretë, Ismail Saliu, 61 vjeç. I ndaluar rezulton edhe kryeplaku i fshatit Pagri, Koço Zaimaj, 58 vjeç.
Droga e fshehur në depon në fjalë ishte e ambalazhuar në thasë plasmasi dhe e gatshme për t’u trafikuar. Ndalimi i shtetasve u bë pasi hetimet e provave të grumbulluara çuan në konkluzionin se ata i kishin në përdorim depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë.
Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, ndërsa dy administratorët e arrestuar akuzohen për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim. Ndërsa kryeplaku akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”.
Policia informoi se operacioni që çoi në zbulimin e sasisë rekord të drogës nisi pas një informacioni të marrë në rrugë operative. Sipas saj, në datën 7 prill, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mori nga një burim anonim informacion se, në depot e ish-rezervave të shtetit në fshatin Pagri kishte sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Kjo është sasia më e madhë e drogës së magazinuar të zbuluar ndonjëherë nga Policia e Shtetit në një operacion të vetëm. Shërbimi për Çështjet e Brendshme njoftoi se, pas zbulimit, ka nisur verifikimet për të parë nëse në këtë ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe punonjës së Policisë së Shtetit.
Top Channel