Ulja e taksës për turizmin, biznesi: Rrit të ardhurat dhe investimet

08/04/2017 00:00

Ulja e TVSH-së për turizmin nga 20% në 6%, sipas përfaqësuesve të biznesit, do të përmirësojë raportin e çmimit me cilësinë e ofruar në hotelieri apo strukturat e tjera akomoduese.

“Çmimi, të jeni të sigurtë, që do të përmirësohet sepse nuk diskutohet që për hotelet që kanë arritur cilësinë dhe standardin dhe nuk kanë më nevojë për investime, performanca e çmimit do ta bëjë edhe më atraktive”, thotë Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë.

“Është në përgjegjësinë e sipërmarrjes që të përmirësojë kushtet e hotelierisë dhe turizmit, apo cilësinë e ushqimit. Por ndoshta ka ardhur koha që në sezonet e pikut edhe sipërmarrësit të mos luajnë me faktin që nuk ka shtretër turistikë dhe të rrisin në mënyrë artificiale çmimet”, deklaron Luan Bregasi, nga Business Albania.

Sipas biznesit, ky lehtësim fiskal do të rrisë investimet serioze turistike, të munguara për shkak të barrës së lartë fiskale.

“Një hotel do të paktën 10 deri në 15 vjet për të rikthyer investimin, ulja e TVSH-së e bën industrinë më konkurruese. Fakti që vetëm Shqipëria nuk ka resorte turistike konfirmon më mirë këtë fakt. Ne kemi 65 mijë shtretër, aq sa ka Maqedonia një vend me gjysmë liqeni”, thotë Topuzi.

Për Luan Bregasin, nxitja e formalizimit si rezultat i këtij vendimi do të përkthehet në shumëfishim të të ardhurave për shtetin.

“Ne mendojmë se rritja e të ardhurave për shkak të uljes së TVSH-së do të jetë 10-fish më e madhe. Pra, nëse deri dje ka qenë 1.2 mln euro do të jetë më shumë se 12 mln euro në vit”, thotë Bregasi.

Shqipëria shënoi nivelin më të lartë të të ardhurave nga turizmi në 2016 me më shumë se 1 miliardë e gjysmë euro dhe një rritje prej 13 % krahasuar me një vit më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA