Kukësi pret Vllazninë, Gjoka kërkon maksimumin nga ekipi

08/04/2017 00:00

Kukësi do të luajë ndaj Vllaznisë në ndeshjen e javës së 28 të Kategorisë Superiore në një ndeshje ku verilindorët do të kërkojnë të ruajnë kryesimin në klasifikim.

Trajneri Ernest Gjoka e ka vlerësuar në maksimum këtë përballje nga e cila kërkon që futbollistët e tij të marrin maksimumin, duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e tifozëve.

“Është një ndeshje e rëndësishme pasi përballlemi me një skuadër si Vllaznia që është në elitën e futbollit shqiptar. Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe kemi punuar si për pikat e dobëta ashtu dhe për ato të forta të kundërshtarit. Kështu që do të kërkojmë të marrim maksimumin. Uroj që tifozët të jenë në stadium për të na mbështetur, pasi të gjithë së bashku mund t’i arrijmë objektivat tona”, tha trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka.

Mungesa e vetme e Kukësit për këtë ndeshje është ajo e Rrumbullakut i cili po zhvillon fazën e rikuperimit në Greqi, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës duke përfshirë edhe portierin Koliçi dhe Ylli Shametin janë në dispozicion të trajnerit Gjoka për përballjen me shkodranët.

Top Channel