Vllaznia mposht Tiranën, thellohet kriza tek bardheblutë

31/03/2017 00:00

Ndeshja që ngriti siparin e javës së 27 në kategorinë Superiore mes Tiranës dhe Vllaznisë u mbyll me fitoren e shkodranëve 1-2 në stadiumin Selman Stërmasi.

Klasikja e futbollit shqiptar që vendosi përballë dy ekipe larg pozitave të dikurshme dhe me rrezik real mbijetese, mbylli edhe derën e fundit të bardhebluve për kupat europiane, madje komplikon llogaritë për qëndrimin.

Gilman Lika kishte një shans të pastër për të shënuar pas çerek ore lojë, por goditja e tij u neutralizua nga portieri Selimaj, ndërsa në një tjetër aksion Taku tentoi kuadratin e shkodranëve.

Pak para se skuadrat të shkonin në pushim, bardheblutë morën avantazhin me golin e Ede’, por arbitri zhvlerësoi gjithçka për një faull.

Po nuk shënove do të pësosh dhe ky rregull i pashkruar futbolli u aplikua në fraksionin e dytë. Një prekje me dorë në zonën e bardhebluve nga Ruben Akue’ solli vendimin e arbitrit për një penallti dhe nga pika e bardhë mbrojtësi Gocaj tundi rrjetën e kryeqytetasve.

Tirana arriti të rikthente baraspeshën me Sise’ duke intriguar përballjen me shkodranët por një neglizhencë në prapavijë, riktheu miqtë në pozicion dominues.

Vllaznia shënoi golin e fitores me Gurishtën dhe administroi avantazhin e brishtë që e çon në kuotën e 35 pikëve në renditje.

Top Channel