Miqësoret, sa shumë “kosto” për Juventusin

30/03/2017 00:00

Ndalesa e kampionateve kryesore për shkak të impenjimeve të kombëtareve regjistroi shumë gola, polemika, por mbi të gjitha edhe dëmtime, që do t’u kushtojnë shumë ekipeve kryesore furnizuese në përfaqësuese.

Në Serie A, Juventusi mbi të gjithë është “fabrika” e lojtarëve, pasi protagonistët e “Zonjës së vjetër” shpenzuan më shumë energji dhe minuta në fushë.

Plot 14 futbollistë huazoi kampionia e Italisë në skuadrat anembanë globit dhe në total, lojtarët bardhezi luajtën 1.377 minuta, me një mesatare prej 98 minutash secili. Dëmtimi i rëndë i kroatit Marko Piaca dhe problemet me Barzaglin tregojnë se, jo pa shkak, datat e lira të FIFA-s kthehen në makth për klubet.

Në një renditje virtuale të Serie A për impenjimin në skuadrat kombëtare në mars, në vendin e dytë është Fiorentina. Plot 12 futbollistë të ekipit nga Firence ishin të pranishëm në listat e kombëtareve, me një minutazh të përgjithshëm që i korrespondon numrit 1.305. Skuadra “viola” renditet me pak diferencë sipër Interit, që mbyll podiumin si skuadra e tretë e Serie A që ka furnizuar më tepër kombëtare.

Top Channel