Andi Lila “rrëfehet” tek prifti

30/03/2017 00:00

“Incidenti” i shkaktuar me videon e publikuar në rrjetet sociale nga futbollisti Andi Lila, konsiderohet një çështje e mbyllur në Greqi.

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Andi Lila u shfaq në një video së bashku me lojtarin tjetër, Armando Sadiku, dukë vënë në lojë para hoxhës Ahmed Kalaja  prifterinjtë ortodoksë grekë.

Këshilltari ligjor i klubit të PAS Janinës ka deklaruar se ngjarja ka marrë ndoshta përmasa më të mëdha sesa duhej.

Andi Lila, i shoqëruar nga avokati i klubit grek, Georgios Vita, ka takuar në mesditën e së enjtes Mitropolitin e Janinës, Maksimos të cilit i ka kërkuar falje të sinqertë.

Nga ana e tij, kleriku grek ka vlerësuar aktin e tij duke theksuar se duhet të gjithë të respektojmë besimin fetar të njerëzve të tjerë.

Në deklaratën e tij, Lila ka thënë: Ditët e fundit ishin ditët më të vështira që kam kaluar. Sot erdha tek një njeri i madh, tek Mitropoliti i Janinës dhe  ndjehem i lehtësuar pas diskutimit që patëm.

Në rrjetet sociale futbollisti shqiptar ka shkruar: “Duhet të jesh njeri i fortë për te kërkuar falje dhe akoma më i forte është ai që fal. Faleminderit Maksim!”.

Në mediat lokale madje kanë qarkulluar edhe disa fotografi nga takimi i futbollistit shqiptar me Mitropolitin e Janinës. Sipas tyre, tashmë është lënë pas video 17 minutëshe që ka shkaktuar reagime të mëdha tek besimtarët ortodoksë shqiptarë dhe grekë.

E publikuar nga vetë hoxhë Kalaja, në video shfaqen dy lojtarët Kuqezi para hoxhës dhe një djali të vogël, dy ditë para ndeshjes me Italinë,në dhomën e hotelit të Andi Lilës, i cili në pjesën më të madhe tregon sesi tallet me priftërinjtë në Greqi, teksa këta të fundit, sipas tij, shkojnë muaj për muaj për t’i bekuar para ndeshjeve të kampionatit.

Top Channel