Polakët, kundër Tusk. Ministri i Jashtëm: Rizgjedhja, e dyshimtë

29/03/2017 00:00

Ligjshmëria e rizgjedhjes së Donald Tusk si president i Këshillit të Bashkimit Europian është vënë në dyshim nga ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski (Vashçikovski), i cili gjatë një interviste për televizionin polak “TVN24” ka kritikuar procedurat që çuan në rizgjedhjen e Tusk për një mandat të dytë.

Ai pretendon se askush nuk i ka pyetur 28 vendet anëtare të BE-së nëse e mbështesnin kandidimin për rizgjedhje të Tuskut dhe se nuk ka pasur një proces formal votimi.

“Është e pavërtetë që ne humbëm 27 me 1, sepse askush nuk i ka pyetur këto 27 vende që votuan pro apo abstenuan gjatë votimit”, tha Waszczykowski. Politikani i pakënaqur shkoi edhe më tej, teksa pretendon se votimi ishte “fals”.

“Ne kemi prova nga ekspertë që na sugjerojnë se Tusk u zgjodh në një mënyrë që ngjall dyshime, bazuar mbi nivelin e ligjeve europiane”, deklaroi ai. Ministri i Jashtëm polak njoftoi se do t’ia japë provat kryeministres polake, Beata Szydlo, por nuk dihet ende nëse qeveria do të reagojë pas këtij lajmi.

“Nuk e di nëse ia vlen, sepse pasojat e kësaj zgjedhjeje nuk janë kritike. Edhe pozicioni i Tuskut nuk është edhe aq i rëndësishëm”, tha më tej Waszczykowski.

Nga 28 vendet anëtare të BE-së, vetëm Polonia kundërshtoi hapur kandidaturën e Tusk, duke shpallur edhe kandidatin e saj Jacek Saryusz-Ëolski. Ministri kujtoi se mandati i dytë i presidentit të Këshillit vjen pas votimit të konventave bazuar në ligjet e BE-së e jo një rinovim të mandatit.

“Është thjesht një mandat i dytë, nuk ka të bëjë aspak me rinovimin e mandatit të parë, – tha ai. – Neni 15 thotë qartësisht se për një mandat të dytë zhvillohet votimi, nga ku kërkohet shumica”.

Top Channel