Francë, Macron merr mbështetjen e ish-kryeministrit Valls

29/03/2017 00:00

Ish-kryeministri i Francës, Manuel Valls ka dalë hapur në mbështetje të kandidatit të qendrës në presidenciale, Emmanuel Macron, duke mos mbështetur kandidatin e Partisë së tij Socialiste. “Është çështje arsyeje”, u shpreh ai për një televizion francez.

Vendimi solli menjëherë falenderimin e Macron, i cili duket se është “kokë më kokë” me udhëheqësen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, sa i përket raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Valls ishte një ndër kandidatët brenda Partisë Socialiste, i cili doli i humbur në garën e stilit amerikan të primareve. Por në vend që të mbështeste fituesin mes socialistëve, Benoit Hamon, ish-kryeministri njoftoi këtë të mërkurë se është përgjegjësi e tij të dalë në mbështetje të Macronit, për shkak të rrezikut që presidenca të mund të përfundojë në duart e kreut të Frontit Nacional.

“Nuk besoj se të tjerët do të marrin rrezikun të shkatërrojnë republikën tonë. Ndaj unë do të votoj për Emmanuel Macron”, tha ai. Valls u takua me deputetët socialistë mbrëmjen e së martës për t’u shpjeguar atyre pozicionin e tij.

Edhe pse nuk është i pari mes figurave të larta partiake që mbështet Macronin, Valls shihet si emri më i madh dhe me më shumë ndikim deri më tani. Ministri i Mbrojtjes, Yves Le Drian, si dhe një sërë ministrash të tjerë i kanë dhënë mbështetjen e tyre kandidatit të qendrës.

Macron shërbeu si ministër Ekonomie në qeverinë e drejtuar nga socialisti Valls, por u shkëput përpara se të shpallte kandidaturën për presidencialet duke krijuar edhe lëvizjen e tij politike “En Marche” (Në lëvizje).

Sondazhet tregojnë se ai do të shkojë në balotazhin e muajit maj, ku pritet të përballet me Le Penin. Sa i përket qendrës së djathtë, kandidati François Fillon dhe bashkëshortja e tij britanike, Penelope, janë vendosur nën hetim formal, pas dyshimeve se kanë abuzuar me fondet pas akuzave për punësim fiktiv të familjarëve të tij.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel