Australi, cikloni “Debbie” lë pas shkatërrim

29/03/2017 00:00

Australia ka angazhuar edhe ushtrinë në ndihmë të punonjësve të skuadrave të emergjencave, që i janë drejtuar zonave të goditura më rëndë nga cikloni “Debbie” të mërkurën, por që po pengohen nga pemët e rrëzuara, përmbytja e fushave të kallamsheqerit dhe dëmtimet e tjera të konsiderueshme në zonat bregdetare.

Fatmirësisht, zyrtarët nuk raportojnë viktima. Cikloni “Debbie” la pas një varg shkatërrimi në të gjithë Australinë verilindore, si një stuhi e kategorisë së katërt, një shkallë më poshtë stuhisë më të rrezikshme, por humbi fuqi gradualisht gjatë natës, duke u shndërruar në një stuhi tropikale.

Mijëra vetë u strehuan nëpër vendqëndrime të posaçme, ndërsa resortet turistike bashkë me barrierën e madhe koralore dhe zonat bregdetare të kontinentit u përplasën me erëra që kapnin një shpejtësi prej më shumë se 260 km në orë, ndërkohë që u zgjuan në mëngjes duke gjetur rrugët e mbushura me rrënoja.

Kryeministrja e shtetit të Queenslandit tha se zona e goditur më rëndë ishte bregu i Whitsunday Islands, rreth 900 km në veriperëndim të kryeqytetit Brisbane, ku cikloni preku fillimisht tokën.

Top Channel