Urdhri i Trumpit kundër fuqisë së pastër, pasoja mbi klimën

28/03/2017 00:00

Aktivistët paralajmërojnë për pasoja të rënda nga rrëzimi i një pjese të rregulloreve të mjedisit, të firmosura gjatë administratës “Obama”. Donald Trump pritet të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv, që përmbys planin e fuqisë së pastër, i cili u diktonte shteteve reduktimin e emetimeve të karbonit.

I njëjti urdhër godet gjithashtu edhe buxhetin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Në lupën e Trumpit do të përfundojnë gjithashtu rregulloret e prodhimit të naftës, gazit e qymyrgurit. Rrëzimi i masave të gjelbra, dëmtuese sipas tij për ekonominë, është një tjetër premtim i fushatës që shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkon me ngulm ta çojë deri në fund.

Por lëvizja e presidentit pritet të rindezë debatin tejet të ngarkuar mes palëve, mbi ndikimin e aktivitetit njerëzor te klima. Kjo përplasje po thellon shqetësimet se, dekada të tëra përpjekjesh për arritjen e traktateve ndërkombëtare mund të zhbëhen krejtësisht.

Argumenti i Shtëpisë së Bardhë është se nisma e re do ta mbajë energjinë të pastër e në nivele të përballueshme, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës, e do të reduktojë në të njëjtën kohë varësinë e Amerikës nga karburanti i importuar.

Por grupet ambientaliste paralajmërojnë për pasoja serioze brenda dhe jashtë kufijve. Trumpi, në të kaluarën ka deklaruar se ndryshimet e klimës janë krijuar nga kinezët.

Top Channel