NBA, Bostoni merr kreun ne lindje

28/03/2017 00:00

Cleveland Cavaliers përjetoi një mbrëmje për t’u harruar në Texas teksa humbi ndaj San Antonios me rezultatin 103-74.

Kampionët në fuqi të NBA, për të cilët kjo ishte disfata e 5 në 10 ndeshjet e fundit e panë veten të dominoheshin krejtësisht nga të besuarit e Gregg Popovich në AT&T Center. San Antonio e vendosi fatin e takimit që në 2 periodat e para të sfidës të cilat i mbylli me rezultatin 64-40.

Në periodën e tretë, LeBron James la përpara kohe parketin për shkak të një përplasjeje me David Lee. Një përplasje kjo që  rezultoi të ishte shumë i lehtë aq sa bëri që shumë tifozë në Twitter të tallen me James duke e akuzuar se simuloi një dëmtim më të rëndë nga sa ishte në të vërtetë.

Në një ditë të errët ishin edhe Kevin Love e Kyrie Irving që shënuan respektivisht vetëm 9 dhe 8 pikë. Ndërsa në krahun tjetër, për San Antonion shkëlqeu Leonard me 25 pikë të shënuara. Me këtë disfatë, Cleveland detyrohet të lërë kreun e klasifikimit në Konferencën e Lindjes tek skuadra e Boston Celtics.

Për Russell Westbrook nuk mund të gjenden më fjalë për ta përkufizuar. Basketbollisti i Oklahomës drejtoi skuadrën e tij drejt fitores me Dallasin 92-91 duke u konfirmuar si pretendenti kryesor për të fituar Çmimin si Lojtari më i Mirë i sezonit të rregullt ne NBA.

Westbrook e mbylli ndeshjen me  37 pikë, 13 topa në tabelë dhe 10 assist. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se Westbrook i shënoi 12 pikë në fundin e ndeshjes kur Oklahoma shënoi një rezultat të pjesshëm 14-0 duke i dhënë mundësinë kësaj skuadre të kthente tërësisht situatën në favorin e saj gjë që e tregon edhe rezultati përfundimtar i sfidës.

Në ndeshjet e tjera, Toronto fitoi me Orlandon 131-112, New York mposhti Detroit 109-95, ndërsa Utah Jazz mundi New Orleans 108-100.

Top Channel