Izraeli, polemika dhe pezullime përpara Shqipërisë

28/03/2017 00:00

Është ende 3 muaj larg dhe nuk do të ndikojë thuajse aspak në fatet e kualifikimit të Shqipërisë, por për ndeshjen e qershorit me kuqezinjtë, Izraeli llogarit mungesa dhe polemika.

Trajneri i kombëtares izraelite, Elisha Levy vendosi të pezullojë për dy ndeshje sulmuesin Tomer Hemed, si dhe portierin Ariel Harush, duke njoftuar lojtarët se nuk do përfaqësojnë flamurin kombëtar deri në shtator.

Hemed dhe Harush do të mungojnë në ndeshjen kualifikuese ndaj Shqipërisë më 11 qershor në stadiumin e Haifas, si dhe në miqësoren ndaj Moldavisë, 5 ditë para sfidës me kuqezinjtë. Kjo, pasi dy protagonistët e kombëtares izraelite kritikuan publikisht trajnerin dhe nuk e kapërdinë dot mungesën në formacion, në ndeshjen e humbur ndaj Spanjës.

“Në ditët e fundit, Ariel Harush dhe Tomer Hemed kanë shfaqur kritika publike ndaj stafit teknik, bashkëlojtarëve dhe kështu kanë dëmtuar frymën e ekipit, me këtë mënyrë aspak të drejtë. Lojtarë që nuk guxojnë kurrë të revoltohen në klubet e tyre, nuk duhet ta bëjnë këtë kurrë në kombëtare. Për këtë do të ndëshkohen”, tha trajneri Levy.

Hemed luajti titullar dhe shënoi ndaj Maqedonisë e Lihtenshtajnit, por nuk e pranoi dot që u aktivizua nga pankina ndaj Spanjës. Izraeli mban vendin e tretë në grupin kualifikues, me 3 pikë më shumë sesa kombëtarja shqiptare e futbollit. Vetëm vendi i parë shkon drejtpërdrejt në Botëror, ndërsa do të ketë sfida “play-off”-i për 8 vendet e dyta më të mira.

Top Channel