Një grup të rinjsh, shumica prej tyre të apasionuar në zhanret e artit të novelës grafike, si “Strip Art”, “comic book” apo “manga”, hodhën në letër idetë e tyre.

Histori personale, përralla apo legjenda shqiptare. Fillimisht, ata zhvilluan grupin  e tyre dhe ekspozonin punën “online”. U bënë pjesë konkursesh e tani sjellin ekspozitën e parë të zhanrit të “Strip Art” në Shqipëri.

“Strip Arti njihet shumë pak në Shqipëri. Kjo na shtyn më shumë”, thotë Endri Beqo, karikaturist dhe organizator i ekspozitës.

Janë 14 pjesëmarrës, që nëpërmjet punëve të tyre kanë për qëllim që t’i afrojnë njerëzit më shumë me këtë fushë arti, e më pas të hapin një treg të ri në marketingun shqiptar.

“Kemi nevojë dhe duhet të ushqehemi me poezinë e t’i trajtojmë në këtë lloj arti”, shpjegon Beqo.

Në këto novela grafike gjen Besën e Kostandinit, trimin Muji dhe Halil, histori të jetës së përditshme të një minatori, krijime ëndrrash apo përsiatje. Por, më së shumti edhe depresion personal.

“Varet si është ndjerë artisti, si e ka marrë frymëzimin”, shprehet karikaturisti Beqo.

Krahas anës figurative, Strip Art është edhe një mënyrë për t’iu drejtuar problematikave kulturore, ekonomike, fetare apo të fushave të tjera dhe dëshira e pjesëmarrësve është që ky art të njihet dhe lëvrohet më tepër.

Top Channel