Protesta e tifozëve, grupimi “Illyrian Elite”: Ishte mesazh për FSHF

27/03/2017 00:00

Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, për të mos vënë më në dispozicion të grupimit “Illyrian Elite” bileta të ndeshjeve të Kombëtares, nuk është pritur mirë nga ky i fundit.

Nëpërmjet një komunikate në rrjetet sociale, “Illyrian Elite” kërkoi të sqarojë ngjarjet që ndodhën në Palermo gjatë sfidës mes Italisë dhe Shqipërisë, duke shtuar se Federata Shqiptare do të vuajë pasojat për këtë vendim të marrë.

“Duke marrë shkas nga akuzat e ardhura drejt nesh dhe duke dashur të sqarojmë situatën që u krijua në Palermo dhe që është fryrë shumë mediatikisht, ne donin t’iu thonim se qëllimi i gjithë asaj nuk ishte të dënojmë Kombëtaren, sepse nga sektori ynë nuk është hedhur asgjë në fushe apo ndaj tifozerisë së thjeshtë italiane. Ne, me shfaqjen tonë piroteknike, që arriti të pezullonte për disa minuta ndeshjen, donim vetëm t’i jepnim një mesazh të qartë FSHF-së dhe Policisë së Shtetit, notë proteste, duke i akuzuar drejtpërdrejt ata si të vetmit përgjegjës për degradimin e situatës me të gjitha sjelljet e tyre të njëpasnjëshme, harbute dhe aspak profesionale ndaj nesh dhe tifogrupeve të tjera shqiptare, sjellje që e kaluan cakun e tyre në ndeshjen e fundit në shtëpi me Izraelin. Ne pohojmë me zë të lartë se, vendimi i pezullimit tonë për të mos marrë më bileta për të mbështetur Kombëtaren dhe ngjyrat kuqezi është një vendim aspak profesional dhe me shumë tendencë, duke ditur se ky vendim vjen nga njerëz që po vendosin diktat në drejtimin e një institucioni tashmë të privatizuar nga ana tyre prej vitesh. Ju duhet të ndërroni qasje ose do të përballeni me pasojat e mëtejshme. Ne si tifogrup do të vazhdojmë misionin tonë me çdo ‘armë’ ndaj padrejtësive që po na bëhen, neve si grupim, por jo vetëm”, shkruan grupi “Illyrian Elite” në rrjetet sociale.

Federata Shqiptare e Futbollit mori vendimin për përjashtimin e grupimit “Illyrian Elite” një ditë pas sfidës mes Italisë e Shqipërisë, e cila u ndërpre për 9 minuta pas hedhjes së flakadanëve në fushën e lojës.

Top Channel