“Themeloj ushtrinë, ose dorëhiqem”, Thaçi i qëndron premtimit

26/03/2017 00:00

“Nëse projektligji (për transformimin e FSK-së në ushtri) shkon në Kuvend dhe nuk miratohet, atëherë do të jap dorëheqjen”. Këto kanë qenë fjalët e presidentit Thaçi në momentin kur ndërmori nismën për të transformuar Forcën për Sigurinë e Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Një premtim që Thaçi ka ritheksuar se do ta mbajë, në një intervistë të dhënë për “KosovaPress”.

“Deklarata ime ka qenë shumë e qartë se, nëse projektligji shkon në Kuvend dhe nuk votohet, atëherë do të jap dorëheqjen. Kjo qëndron edhe sot, por unë kam besim se deputetët do të jenë në krye të përgjegjësive të tyre dhe, e theksoj edhe një herë, një konsensus të tillë të skenës politike Kosova nuk e ka përjetuar kurrë në historinë e saj. Nëse deklaratën e pavarësisë e kanë nënshkruar 109 deputetë, tashmë së paku 110 deputetë duhet të jenë për të votuar ushtrinë e Kosovës”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.

Presidenti Thaçi, gjithsesi ka thënë se do të presin rikthimin e deputetëve serbë në institucionet e Kosovës, e më pas që ata të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë, por nëse kjo nuk ndodh, kreu i shtetit kosovar është i bindur se këtë do ta bëjnë përmes projektligjit e nisur nga ai, e që tashmë gjendet në Qeveri për shqyrtim dhe komente.

Në intervistë, presidenti Thaçi thotë se nisma e tij nuk është e nxituar, madje e quan të vonuar. Që nga viti 2014, kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë dhe kur dështoi themelimi i ushtrisë, ai thotë se ka kërkuar rikthimin e kësaj çështjeje në Kuvend, por deputetët serbë e kanë bllokuar atë sepse janë të urdhëruar nga Beogradi për të mos i votuar ndryshimet kushtetuese, të cilat mundësojnë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Unë jam plotësisht në favor të ndryshimeve kushtetuese, sepse do të ishte një proces vendimmarrës me interes të përbashkët, por aktualisht ‘Lista Serbe’ e ka thënë qartë se nuk do t’i votojë ato. Unë dhe i gjithë spektri politik do të presim deri në sekondat e fundit ardhjen dhe votimin e ‘Listës Serbe’ për ndryshimet kushtetuese, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të vazhdojmë me projektligjin që kam nisur unë”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës kujtoi edhe njëherë se bashkësia ndërkombëtare nuk pajtohet me metodologjinë e themelimit të ushtrisë, por nga ana tjetër nuk e ka ruajtur dinamikën e interesimit për të kthyer “Listën Serbe” në proceset e rëndësishme për shtetndërtimin e vendit. Megjithatë, presidenti nuk ka ende ndonjë datë se kur do të mund të harmonizohen qëndrimet.

Top Channel