Tramezzani paralajmëron Italinë: Ja pikat e forta të kuqezinjve

23/03/2017 00:00

Paolo Tramezzani paralajmëron disi Italinë, në prag të sfidës që “të kaltrit” do të luajnë me kombëtaren shqiptare. Ish-ndihmësi i De Biasit, në një intervistë për “Sportmediaset” deklaroi se, gjithçka mund të ndodhë gjatë këtyre 90 minutave, pasi Shqipëria ka shumë dëshirë për të marrë një rezultat pozitiv.

“Besoj se Italisë do t’i duhet t’i druhet disi kësaj Shqipërie që pas humbjes me Izraelin do të kërkojë të tkhehet te rezultati pozitiv. Është një skuadër që do të kërkojë të shfrytëzojë entuziazmin dhe organizimin në lojë, por nuk do ta ketë të lehtë sepse Italia në aspektin individual ka dicka më shumë se Shqipëria. Gjithsesi në 90 minuta lojë gjithcka mund të ndodhë”, tha Tramezzani.

Më pas, Tramezzani bëri të dituar edhe pikat e forta të kombëtares kuqezi, e cila sipas tij nuk është më një surprizë, por një realitet që kërkon të konfirmohet.

“Pikat e forta të Shqipërsë janë grupi, motivimi dhe eksperienca e futbollistëve, që deri para 5 vitesh luanin në Lega Pro apo në kampionate më inferiore. Lojtarët që duhen pasur frikë? Përveç Hysajt që e njohim shumë mirë, mund të përmend edhe Strakoshën, që po bën paraqitje të mira me Lazion. Basha e Memushaj kanë eksperiencë, ndërsa Balaj e Sadiku janë gjithnjë të rrezikshëm kur luajnë me kombëtaren”, tha Tramezzani.

Italia kryeson grupin G së bashku me Spanjën, me nga 10 pikë secila, ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë.

Top Channel