Mandati i Zotkajt e Peçit, KQZ rrëzon Prokurorinë

23/03/2017 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi një për një të 21 deklarimet për dekriminalizimin, përfshi edhe dy kryebashkiakët Adriatik Zotkaj të Poliçan dhe Tërmet Peçit të Tepelenës.

Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar heqjen e mandatit të tyre me arsyetimin se nuk kishin deklaruar disa dënime me gjobë.

“KQZ, në lidhje me vendimin për të shpallur pavlefshmërinë dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Adriatik Zotkajt, votoi me katër vota kundër. Në lidhje me vendimin për të shpallur pavlefshmërinë dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Tërmet Peçit, votoi me katër vota kundër”, tha kreu i KQZ, Denar Biba.

E enjtja ishte data kur KQZ duhet t’i kthente përgjigjje kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Dy ditë më parë Komisioni publikoi një listë me 13 deputetë dhe 8 kryebashkiakë të cilët kishin plotësuar jashtë afateve ligjore deklaratat e tyre.

Në listë ishin edhe deputetët Berisha, Ristani, Braho, por edhe disa kryebashkiakë. Tre anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të opozitës kundërshtuan që në fillim duke kërkuar që Komisioni të diskutonte dhe vendoste vetëm për dy kryebashkiakët që kërkoi Prokuroria.

Por katër anëtarët e tjerë, përfaqësues të shumicës vendosën të diskutojnë hapur të gjitha shkeljet që kishin bërë deputetët dhe kryebashkiakët, të cilat kishin të bënin me të dhëna të pasakta, që nga ndryshimet e emrave e deri te gjobat.

Tre anëtarët e opozitës braktisën mbledhjen, ndërsa pas 30 minuta diskutim të mbyllur, katër anëtarë e KQZ-së votuan kundër heqjes së mandatit për të gjithë emrat e listës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB