Engel: Gabuat me Kosovën. SHBA të mbështesin formimin e ushtrisë

23/03/2017 00:00

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel ia kushtoi Kosovës fjalimin e tij të së enjtes në Kongres, ku tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur aspiratat e saj drejt integrimit ndërkombëtar.

Engel, një ndër kongresmenët më aktivë në mbështetje të çështjeve shqiptare, e shfrytëzoi kohën e rezervuar në seancë për të informuar kolegët mbi problemet me të cilat ndeshet Kosova.

Këto probleme, Engel i lidhi me një fushatë intensive të Beogradit dhe aleates së tij, Moskës, që synojnë sipas tij frenimin e proceseve integruese të Kosovës. Numri dy i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel theksoi se mbështetja e Amerikës për Kosovën duhet të shtohet.

“Mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën është përmes një përkrahjeje të fortë dhe të vazhdueshme, ashtu siç kanë bërë SHBA-të për shumë vite. Por ka shumë pengesa në rrugë dhe një pjesë e mirë e tyre vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës. Prandaj duhet punuar për thellimin e lidhjeve mes dy vendeve, për të pasuruar mirëkuptimin e përbashkët dhe për të forcuar në vazhdimësi stabilitetin në të gjithë Ballkanin. Kjo është mënyra drejt një Kosove më të begatë, më demokratike dhe shumetnike; kjo është rruga që Shtetet e Bashkuara të shohin një Ballkan të lirë, në paqe dhe pjesë të Europës”, tha Engel.

Engel kritikoi qëndrimin e administratës amerikane, që nuk e mbështeti nismën e Kosovës për të pasur ushtrinë e saj, e kujtoi se në Serbi ndërkohë, falë Vladimir Putinit po dërgohen armë dhe materiale ushtarake.

Top Channel