De Biasi: Sot mund të isha trajner i Italisë, po të mos ishte për…

23/03/2017 00:00

Në vigjiljen e përballjes historike në kualifikueset e Botërorit 2018, Gianni De Biasi rrëfeu përjetimet e tij për 90 minutëshin që përball ekipin që drejton, me kombëtaren e vendit ku është lindur.

Tekniku italo-shqiptar që po përgatitet të pengojë “të kaltrit” në sfidën e Palermos, rrëfeu mes të tjerave si ishte bindur për stolin e kuqezinjve, por edhe një peng që nuk e lanë të drejtonte “azzurrët”.

“Pesë vite më parë nuk do të pranoja kurrë se mund të qëndroja në pankinën e Shqipërisë për kaq shumë kohë, madje e kisha refuzuar më parë. Por më pas, në një hotel në Milano, drejtuesit kishin qenë kaq bindës sa pranova. Ajo që më propozoi Shqipëria në vitin 2011 ishte një sfidë e freskët, ashtu siç është ëndrra për Botërorin, edhe pse logjika thotë ndryshe”, rrëfen De Biasi.

Gianni De Biasi do të sfidojë në stadiumin siçilian homologun Gian Piero Ventura, në vendin e të cilit mund të ishte pas largimit të Contes, por që dikush – që nuk pranon ta zbulojë, – i vendosi shkopinj nën rrota.

“Sot mund të isha në vendin e Venturës. Të paktën shpresoja shumë që të isha, sidomos pas takimit me një drejtues të Federatës italiane të Futbollit (FIGC). Por papritur diçka ndryshoi dhe Ventura më parakaloi. Atë çfarë ndodhi e mësova më vonë në Como, kur presidenti i Federatës më tregoi se një person, një i vetëm, vendosi veton dhe unë nuk u bëra dot trajner i Italisë”, thotë De Biasi.

Ndërkohë, Gianni De Biasi nuk ka gjetur ende gjuhën e përbashkët me FSHF-në për rinovimin e kontratës që skadon këtë verë.

Top Channel