Berlin, ministri Hoti kërkon heqjen e izolimit ndaj Kosovës

22/03/2017 00:00

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Rexhep Hoti, i shoqëruar edhe nga këshilltari i ministrit Shala, Faton Peci, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Berlin. Sipas njoftimit të këtij dikasteri, arsyeja e vizitës në Gjermani është takimi i bordit qeveritar për projektin “RYCO” (Regional Youth Cooperation Office).

Gjatë ditës së parë të bordit qeveritar është diskutuar për sfidat e “RYCO”-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe për kontributin potencial të “RYCO”-s në aspektin social-politik.

Gjatë pasdites, delegacioni kosovar është takuar me këshilltarin për çështjet e huaja dhe të sigurisë në Kancelarinë federale, Christoph Heusgen, si dhe këshilltarin e Merkelit për politikën e jashtme, Matthias Luttenberg.

Zëvendësministri Hoti shprehu brengosjen se projekti “RYCO” do të jetë i vështirë për t’u realizuar në Kosovë, për shkak se vendi vazhdon të mbetet i izoluar. Një shqetësim i tillë është pranuar nga “RYCO” dhe si i tillë i është përcjellë qeverisë gjermane dhe asaj franceze, por edhe atyre austriake e italiane. Atje është diskutuar gjithashtu edhe për mundësinë e bashkëpunimit në rrafshin mediatik me zyrën e “RYCO”-s.

Shqetësimi i këshilltarit të Kancelares Angela Merkel ishte dhuna në Kuvend, si dhe pamundësia për të mos marrë vendime. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë dhe i Francës, përfaqësues nga shoqëritë civile të të gjitha shteteve përfaqësuese të “RYCO”-s.
=

Top Channel