Berardi dhe Bernardeschi, dy për një fanelë

22/03/2017 00:00

Vendi i tretë në kampionat, që do të thotë pjesëmarrje në edicionin e ardhshëm të Champions League, duket se është në kufijtë e të pamundurës për Interin.

Megjithatë, drejtuesit e klubit italian nuk po humbin kohë dhe po vazhdojnë me planifikimet për forcimin e ekipit, për sezonin e ardhshëm.

Në kuadër të “Italianizimit” të ekipit, dretuesit e Interit kanë piketuar dy emra për sulmin, Berardi i Sassuolo dhe Bernardeschi i Fiorentinës.

Duke pasur parasysh organikën zi-kaltër, në repartin e sulmit, si dhe lëvizjet që pritet të ndodhin, duket se do të jetë e vështirë të ketë vend për të dy ata, ndaj trajnerit Pioli do t’i duhet të zgjedhë se cilin do të donte të kishte në ekip për sezonin e ardhshëm.

Të dy futbollistët kanë të njëjtën moshë (24 vjeç), por Berardi ka në favor faktin që është një tifoz i deklaruar i Interit dhe pikërisht për këtë arsye, refuzoi transferimin te Juventus në sezonin e kaluar.

Nga ana tjetër, Bernardeschi nuk është interist, por është një futbollist polivalent, që mund të mbulojë disa pozicione në fushë, qoftë si lojtar krahu në skemën 3-5-2 dhe 4-3-3, ashtu edhe si fantazist, pozicion të cilin po e kryen shumë mirë të Fiorentina.

Kur kanë mbetur pak më tepër se dy muaj nga fundi i sezonit, merkatoja e Interit ka filluar të “ndizet” me shpejtësi, pasi zi-kaltërit nuk mund të pranojnë një tjetër sezon të dështuar, si ky aktuali.

Top Channel