Argjentinë-Kili, sfida që duhet fituar për “albiçelestët”

22/03/2017 00:00

Argjentina vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës së kualifikueseve të Botërorit 2018, atë me Kilin. Në stadiumin “Monumental”, ku luan ndeshjet ekipi i River Plate, do të përballen dy skuadrat që kanë luajtur dy finale radhazi të Kupës së Amerikës dhe në të dyja rastet fitues ka rezultuar Kili.

Argjentina do të kërkojë jo vetëm të hakmerret për këto dy disfata, por ajo që ka më shumë rëndësi është se, ajo dëshiron të jetë mes 4 skuadrave më të mira, gjë që i jep të drejtën të kualifikohet drejtpërdrejt në Botërorin e Rusisë.

Skuadra nënkampione e botës ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore, ku i pranishëm ishte edhe kapiteni Lionel Messi. Ata që shqetësojnë trajnerin Bauza janë Zabaleta dhe Paulo Dybala. Zabaleta është i dëmtuar dhe nuk do të luajë në ndeshjet e radhës së Argjentinës, ndërsa Dybala është në dyshim, megjithatë ai ka qëndruar në grumbulliminm e skuadrës.

Pas Kilit, Argjentina do të luajë ndaj Bolivisë në La Paz, ku nuk ka fituar që nga viti 2005. Në vitin 2009, në lartësinë e këtij qyteti, Argjentina e drejtuar nga Maradona u shkatërrua 6-1 nga Bolivia, ndërsa në 2013-n ajo nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1.

Top Channel