Allegri e Juventus, trajneri do rinovim deri në 2020

22/03/2017 00:00

E ardhmja e Massimiliano Allegrit duket se do të jetë ende te Juventusi. Drejtuesit e klubit torinez tashmë e kanë konfirmuar qëndrimin e tij në pankinën e “Zonjës së Vjetër” duke bërë që hijet e klubeve të tjerë europianë të largohen gjithnjë e më shumë.

Sipas asaj që publikohet në median italiane shumë shpejt pritet të zhvillohet një takim mes palëve për të planifikur të ardhmen.  Por livornezi kërkon garanci nga klubi torinez në këtë pikë. Në radhë të parë, Allegri pretendon rinovimin e kontratës deri në vitin 2020, ndërkohë që ajo aktuale skadon në 2018. Në radhë të dytë Allegri kërkon që të shtojë radhët e Juventusit me të tjerë futbollistë cilësorë për të vijuar në rrugën e sukseseve.

Sipas asaj që publikohet te Tuttosport, emrat që po përmenden më shpesh së fundmi në ambientet e janë ata të Bernardeschit  e Di Marias. Argjentinasi duket se është shndërruar në ëndrrën e madhe të bardhezinjve për merkaton e 2017.

Për kampionët e Italisë nuk do të jetë e lehtë që t’ia rrëmbejnë Di marian PSG, por nuk është as e pamundur. Humbja e thellë e pësuar ndaj Barcelonës, mund të shtyjë Di Marian që të mendojë për një aventurë të re dhe për të tentuar fitoren në Ligën e kampioneve. Por jo vetëm kaq, Juventus mund të marrë një tjetër futbollist nga Franca dhe bëhet fjalë për Tolisso të Lionit kartoni i të cilit vlerësohet 40 milionë euro.

Top Channel