21 marsi, Dita Ndërkombëtare e Poezisë është kujtuar me një aktivitet të vetëm dedikuar kësaj gjinie letrare, një nismë nga Instituti i Librit dhe Promocionit, Bashkia Tiranë, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Të rinj nga gjimnazi “Sami Frasheri” lexuan në ambientet e instilacionit “Reja” vargje nga Dritero Agolli, Bardhyl Londo, Ali Podrimja e shkrimtarë të tjerë në një takim me poezinë.

“Festa e poezisë është një festë që festohet në të gjithë botën. Në Shqipëri ka filluar pak vonë të festohet, por është gjë e mirë që Ballkani e feston, sepse dihet që kur Ballkani flet, me metafora, flet me poezi edhe shqiptarët po ashtu. Është një ditë botërore, por në Shqipëri merr ngjyrime akoma më të theksuara, të veçanta e origjinale dhe ndihmon në njohjen e poetëve me lexuesit dhe në përhapjen e poezisë”, shprehet shkrimtari Bardhyl Londo.
 
Për shkrimtarin Bardhyl Londo poezia bën një jetë aktive falë të rinjve dhe komunikimeve në rrjetet sociale.

“Unë besoj që poezia vazhdon të lexohet shumë. Natyrisht ka mungesa të theksuara në njohjen direkte, por po ta vësh re në “Facebook”, poezia qarkullon shumë. Librat nuk kanë leximin që pritet, por ky nuk është tregues që lexohet apo nuk lexohet poezia. Tregues është përdorimi i saj dhe shfrytëzimi i saj në rrjetet sociale, që zë një nga vendet kryesore. Poezia është e tillë që vërtetë me libra nuk ka shumë lexues, nuk ka përhapje të gjerë, por gjithsesi atë jetë që bën shumë të sigurt e shumë aktive”, thotë Londo.

Top Channel