“Traviata” në Vlorë, opera rishfaqet pas 40 vitesh

18/03/2017 00:00

Opera “Traviata” është shfaqur me sukses në qytetin e Vlorës. Me këtë shfaqje Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka mbyllur turneun që bëri në disa qytete të vendit.

Orkestra, kori, por edhe loja e shkëlqyer e artistëve të TKOB, kanë sjellë një performancë mbresëlënëse që i kishte munguar qytetit të Vlorës prej gati 40 vitesh.

Drejtoresha e TKOB, Zana Çela tha se kjo eksperiencë e re do të vijojë edhe me shfaqje të tjera, aktiviteti i Teatrit të Operas do të shtrihet në të gjithë vendin.

“Ishte një teatër i cili jepte shfaqje vetëm në një skenë, gjë që nuk ishte normale, pasi Teatri i Operas është për të gjithë qytetet, jo vetëm për kryeqytetin. Është një fillim që do të ketë vetëm vazhdimësi. Jam e lumtur se nëpërmjet këtyre shfaqjeve pamë që ekzistojnë skena operistike në të gjithë qytetet, do të ekzistojnë dhe skena të baletit. Kemi planifikuar të kemi dhe shfaqje të baletit”, tha Çela.

“Traviata” është shfaqur me sukses në disa qytete kryesore të vendit për ta mbyllur turin në Vlorë, duke sjellë në skenë një nga veprat më të mëdha të Xhuzepe Verdit.

Top Channel