Kukësi ruan kryesimin

18/03/2017 00:00

Skëndërbeu-Kukësi prej disa vitesh tashmë është shndërruar në një derbi të vendit, nisur nga objektivat e të dyja skuadrave, që edhe në këtë sezon janë të njëjtat, por Kukësi është shumë më kërcënues.

Nuk u duk kështu në shumicën e minutave të ndeshjes së zhvilluar në Korçë. Kampionët në fuqi e shndërruan në një skuadër të vogël dhe kaluan shpejt në avantazh.

Po, nuk munguan as rastet e Kukësit, megjithatë ju deshën shumë minuta ankthi e pritjeje deri sa të shpërbleheshin. Tifozët e Skëndërbeut e filluan festën më shpejt seç duhej…

Por ndeshja nuk kishte mbaruar ende, braziliani Kale ngriu buzëqeshjen e rreth 5000 korçarëve të pranishëm në stadium dhe ngriti në qiell krenarinë e kuksianëve që mbyllën edhe javën e 26-të të Superligës, sërish të pathyer.

“Sot ishte një kënaqësi shumë e madhe edhe për rrjedhojën sesi erdhi goli. Tani duhet të jemi të qetë dhe për 2 javë të përgatisim ndeshjen e radhës sepse është një kampionat që nëse nuk je i përqendruar dhe mund të gabosh”, tha trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka.

“Ta administrosh për 90 minuta dhe të pësosh në minutat e fundit nuk i vjen mirë asnjërit. Ishte një humbje përqendrimi. Nëse një ekip duhet të dalë kampion duhet që të sillet njësoj si në fushën e vet ashtu edhe jashtë saj. Jemi gati të luajmë njësoj edhe jashtë fushës tonë”, deklaroi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Fatkeqësisht paqja e rezultatit dhe e fushës së lojës, përcolli tjetër gjë në tribuna. Një sherr në tribunë u ndal vetëm pas lotëve të kësaj vajze, ndërkohë që edhe autobusi i tifozëve kuksian, u largua me xhama të thyer në shenjë falenderimi, për festën e prishur.

Top Channel