“By Pass” i Gjirokastrës, Kumbaro: Do të ndryshojë

18/03/2017 00:00

Projekti që synon të shmangë lëvizjen e mjeteve përmes qendrës historike të Gjirokastër, i njohur edhe si projekti i by-passit, ka gjasa të mos zbatohet, të ndryshojë, ose të diskutohen edhe zgjidhje të tjera alternative, sipas ministres Kumbaro.

Ministrja e Kulturës foli rreth çështjes së by-passit në një takim me banorë të lagjes Pazar i Vjetër, të cilët kishin nisur më parë një peticion me 144 firma, ku kundërshtohej kalimi i by passit përmes lagjes historike duke argumentuar se një projekt i tillë do të ndryshonte harmoninë disashekullore të vendosjes së rrugëve dhe banesave në këtë zonë.

“Qëllimi ynë është që qendra historike të jetë një qendër për këmbësorë. Ne jemi të hapur që pas realizimit të këtij projekti, çfarëdolloj propozimi, projekti, qoftë plotësimi i projektit aktual apo ndryshimi i tij, apo një propozim i ri, që do të jetë në pajtim të këtij objektivi madhor, që është zhvillimi i qendrës historike si një qendër tregtare dhe kulturore në pajtim dhe në konsensus me komunitetin që jeton, ajo do të jetë zgjidhja më e mirë”, thotë ministrja e Kulturës.
 
Banorët në takim shprehën shqetësimet e tyre rreth dëmeve në trashëgiminë kulturore dhe riskun e lartë sizmik të zonës, ku synohej ndërtimi i by passit.

Projekti i studios “Atelier 4”, i cili u shpall fitues prej Ministrisë së Kulturës, synon devijimin e qarkullimit me disa metra mbi Pazar. Ky devijim përshkon një pjesë të lagjes Pazar i Vjetër, prish dy banesa monumente kulture, si dhe përshkon një sipërfaqe të gjelbër nën Kalanë e Gjirokastrës.

Së fundi, studiuesi Moikom Zeqo ka qenë një prej kundërshtarëve të këtij të këtij projekti dhe të të gjitha ndërhyrjeve të pastudiuara, sipas tij, në zonën historike të Gjirokastrës.
 
“Kam qenë kundër ndërhyrjeve të pastudiuara në mënyrë diletante për të prishur unitetin historik të qendrës së Gjirokastrës me projektin e ndërtimit të një by pass-i që do të çnatyralizonte atë që quhet kujtesa historike e qytetit të Gjirokastrës”, thotë ai.

By pass-i me gjatësi 568 m, sipas asaj që thuhet në faqen zyrtare të studios “Atelier 4”, nuk e prek shumë jetën e përditshme dhe nuk i ndryshon së tepërmi drejtimet e zakonshme.

Por sipas specialistëve lokalë, ideja fituese ndryshoi shumë pas miratimit duke sugjeruar së fundi një ndërhyrje joharmonike dhe të pastudiuar për kushtet gjeologjike, por edhe kriteret e ndërhyrjes në hapësira të mbrojtura nga UNESCO.

Top Channel