Federer ndëshkon sërish Nadalin

16/03/2017 00:00

Roger Federer e mposhti sërish Rafael Nadalin, madje duke i dhënë një leksion të mirë tenisi. Këtë radhë, fitorja e zviceranit ndaj rivalit të tij të përhershëm erdhi në fazën e 1/8 të finaleve të Turneut Masters 1000 të Indian Wells, me 35-vjeçarin që preu biletën për në çerekfinale.

Federer ishte superior ndaj Nadalit gjatë gjithë ndeshjes, të cilën e mbylli me rezultatin 2-0 me sete (6-2 dhe 6-3).

Por, surprizën e ditës në Indian Wells e shkaktoi Novak Djokovic. Numri 2 i botës u eliminua nga Nick Kyrgios, me australianin që do të jetë kundërshtari i radhës së Federerit. Kyrgios e mbylli sfidën me rezultatin 2-0 me sete (6-4 dhe 7-6), duke shënuar fitoren e dytë ndaj serbit në harkun e 2 javëve. Suksesin e parë ndaj Djokovic, Kyrgios e shënoi pikërisht në turneun e Akapulkos, në Meksikë.

U kualifikua për në çerekfinale të Mastersit të Indian Wells edhe Kei Nishikori, i cili mposhti amerikanin Donald Young me rezultatin 2-0. Nishikori ishte superior ndaj kundërshtarit të tij dhe i fitoi setet 6-2 dhe 6-4.

Top Channel