Juncker e Tusk: Ballkani, i rrezikuar. Mbështesim reformat drejt BE

15/03/2017 00:00

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka deklaruar në Strasburg përpara eurodeputetëve se situata në Ballkanin europian është e tensionuar, sepse forca të brendshme dhe të jashtme po punojnë për ta destabilizuar rajonin.

“Ne diskutuam në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian, ndër të tjera edhe për situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor. Ishte e qartë për të gjithë ne se, forca të brendshme dhe të jashtme po punojnë fuqishëm që të destabilizojnë rajonin. Ja përse udhëheqësit rikonfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre europiane. Ne shprehëm gjithashtu angazhimin tonë të plotë për të mbështetur reformat e tyre të orientuara drejt BE-së dhe projektet në vijim. BE-ja i mbetet besnik premtimit të dhënë në Selanik dhe plotësisht i angazhuar për stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit. Unë shpresoj që ky sinjal pozitiv nga Europa do të dëgjohet”, tha Donald Tusk.

Raportimi para deputetëve i shërbeu presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që të sqarojë deklaratën e tij në fillim të mandatit për mospranimin e anëtarëve të rinj në familjen europiane. Juncker pranoi se ajo deklaratë e tij krijoi konfuzion në Ballkanin Perëndimor.

“Në mbledhjen e javës së kaluar, ne kishim një debat intensiv mbi Ballkanin Perëndimor. Unë dua të them në emër të Komisionit Europian se, ne duam t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë europiane. Tani, ajo që unë kam thënë në fillim të mandatit tim, se nuk do të ketë anëtarësime të reja përpara vitit 2019, ishte një fjali që krijoi konfuzion në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ne jemi ende duke debatuar dhe negociuar hyrjen në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është rajoni më i komplikuar në Europë dhe neve na duhet të kontribuojmë duke rifilluar t’u japim këtyre vendeve të gjithë përkujdesjen që u nevojitet”, tha Juncker.

Gjatë seancës në Strasburg, krerët e institucioneve të BE-së i konsideruan akuzat e Turqisë për fashizëm në Holandë plotësisht të shkëputura nga realiteti.

Top Channel