Ushtria e Kosovës, analistët vlerësojnë mundësitë

14/03/2017 00:00

Kosova ka mundësi të vetme ndryshimin e ligjit për Forcën e Sigurisë, për t’ia ndryshuar mandatin, pasi ndryshimet kushtetuese janë të vështira.

NATO ka ekskluzivitet mbi mbrojtjen që pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe, por shumë shtete presin fundin e mandatit, edhe pse tërheqja e plotë duket një proces që edhe mund të mos ndodhë.

Analisti Florian Qehaja, thotë se Kosova ka për detyrë të bind partnerët ndërkombëtarë.

“Kemi një rritje të kërcënimeve dhe rreziqeve të karakterit klasik, që do të thotë ndërhyrje të shteteve të ndryshme në rajon dhe një rritje të pasigurisë në drejtim të asaj që Kosova të përshpejtojë hapat në funksion të ndërtimit të forcës mbrojtëse dhe mbi të gjitha për faktin se KFOR- i nuk mund të qëndrojë këtu përgjithmonë”, tha analisti Florian Qehaja, nga Qendra për Studime të Sigurisë.

Ka patur disa tentime për transformimin e FSK-së në ushtri, por serbët pavarësisht se janë pjesë, nuk e mbështesin këtë.

Analisti Burim Ramadani, thotë se faza më e rëndësishme është ajo e konsultimeve, pasi është krijuar një moment i ri.

“Krejt procesi për ndryshimin e ligjit, respektivisht për kthimin e FSK-së në ushtri, kërkon një koordinim dhe bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, partnerët strategjikë dhe në radhë të parë me SHBA-të dhe NATO-n. Ushtria e Kosovës është aq e domosdoshme sa edhe mbështetja e ndërkombëtarëve, prandaj vetëm këto të dyja bashkë bëjnë një ushtri të plotë dhe me efekt pozitiv”, u shpreh Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë

FSK ka 2500 pjesëtare dhe është e organizuar si një ushtri. E dedikuar për raste emergjente, por e trajnuar vazhdimisht edhe për misione ndërkombëtare.

Top Channel