Marrëdhëniet shqiptaro-greke, Krisafi: Problemet po diskutohen falë të rinjëve

14/03/2017 00:00

Marrëdhëniet shqiptaro-greke ishte një ndër temat që u ngritën në forumin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave, i pari në ciklin e  takimeve publike me intelektualët e qyteteve.

Një ndër panelistët në qytetin e Gjirokastrës, studiuesi Ksenofon Krisafi tha se pranimi i ekzistencës së problemeve mes dy vendeve, nga dy liderët e rinj në Greqi dhe Shqipëri është një zhvillim pozitiv.

“Këto probleme kanë ekzistuar gjithmonë por janë sfumuar. Qeveria aktuale pati kurajon t’i identifikojë problemet. Më parë ose nuk thuheshin ose fliteshin  nën zë.  Si mund të thuash që s’ekziston problemi i ligjit të luftës?  Duke u fshehur janë si ato plagët që maisen dhe infektohen. Ardhja në pushtet në dy vendet e dy të rinjve, në moshë dhe koncept,  po krijon mundësitë që problemet të shtrohen në tavolinë dhe të zgjidhen”, tha prof. Ksenofon Krisafi.

Për pozicionimin e Shqipërisë në zhvillimet  ndërkombëtare, diplomati dhe studiuesi Fatos Tarifa foli mbi të ardhmen e BE që sipas tij po shkon drejt zhbërjes duke i lënë të paqarta fatet e ardhshme të kombeve përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Ndërsa gjuhëtari Emil Lafe duke diskutuar mbi sfidat gjuhësore përballë globalizmit dhe termave të reja tha se duhet një përdorim më korrekt i gjuhës në shkolla dhe media.

Në panel ishte mjeku Isuf Kalo i cili tha se çdo ministër në këtë vend duhet të jetë edhe ministër Shëndetësie pasi një pjesë e sëmundshmërisë ka bazë sociale dhe studiuesi Moikom Zeqo që theksoi nevojën për mbrojtjen e Gjirokastrës si një pasuri kombëtare.

Top Channel