Leicester, ëndrra vazhdon në Champions. Juve kalon Porton

14/03/2017 00:00

Pasi i befasuan të gjithë një vit më parë në Premier League duke u shpallur kampion, Leicester këtë sezon po shkruan historinë në Champions League.

Kampionët e Anglisë kanë eliminuar Sevilla, duke i mposhtur fituesit e edicionit të kaluar të Europa League 2-0 në ndeshjen e kthimit, ndërsa në takimin e parë ishin mundur 2-1 në Spanjë.

Morgan shënoi në minutën e 27 për kampionët e Anglisë pas një goditje dënimi. Më pas edhe pse ishin spanjollët në zotërim të topit, Leicester ishte më i rrezikshëm në daljet e shpejta në sulm.

Kur të gjithë prisnin reagimin e Sevilla-s ishin sërish të zotët e shtëpisë ata që shënuan edhe golin e dytë në këtë takim. Këtë herë ishte Albrighton, i cili lëshoi një goditje të pakapshme për portierin e Sevilla në hyrje të zonës.

Sevilla i pati të gjitha mundësitë të rihapte ndeshjen në minutën e 80, por Nzonzi gaboi nga pika e penalltisë. Tashmë Leicester siguron një biletë në çerekfinale, duke vazhduar të shkruaj historinë në këtë kompeticion.

Ndërkohë, pas fitores së parë në Portugali 0-2, Juventusi nuk e pati aspak të vështirë ndeshjen e kthimit, ku edhe pse fitoi minimalisht 1-0, nuk e vuri për asnjë moment në diskutim kalimin në gjysmëfinale.

Autor i golit të vetëm për bardhezinjtë ishte i përhershmi Dybala nga pika e penalltisë në fundin e pjesës së parë, ku Maxi Pereira i Portos u ndëshkua me kartonin e kuq. Më pas, bardhezinjtë menaxhuan epërsinë e tre golave ndaj portugezëve dhe siguruan të qetë kualifikimin.

Ditën e nesërme mësohen edhe dy ekipet e fundit çerekfinaliste, të cilat do të dalin nga çiftet Monaco-Manchester City dhe Atletico Madrid-Leverkusen.

FOTO GALERI
4/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA