Ardhjen e pranverës, artistët pjesëmarrës në edicionin e dytë të Bienales së Akuarelit e kanë pritur tërësisht ndryshe.

Ata kanë vendosur t’i shtojnë më shumë ngjyra Ditës së Verës, duke pikturuar në natyrë në sheshin pranë Piramidës një kuadro prej 10 metrash katrorë në qendër të së cilës kanë vendosur Migjenin, Naim Frashërin, Ismail Kadarenë e emra të tjerë që kanë shkruar historinë e Shqipërisë.

“Sot është kulminacioni këtu sepse, siç e shihni, po bëhet një punë e madhe, gjigande prej 10 metrash. Këtu janë takuar të gjithë artistët, më të mirët e akuarelit në botë, dhe po bëjnë pikturën e qytetit dhe të fytyrave të shquara shqiptare”, thotë piktori Ben Kamili.

Atanur Dogan është një piktor turk, i cili në këtë tablo ka zgjedhur të pikturojë portretin e poetit Dritëro Agolli. Atanur Dogan, njëkohësisht President i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit, shprehet: “Është një nga figurat më të rëndësishme mendoj në Shqipëri, një nga shkrimtarët e poetët më të njohur. E kam pikturuar edhe dy vite më parë, kur erdha për herë të parë në Shqipëri e kur e takova personalisht. Sot është një ditë shumë e bukur sepse Shqipëria feston ardhjen e pranverës. Ne si artistë nga vende të ndryshme të botës jemi bërë bashkë për të celebruar paqen dhe harmoninë, në një vend kaq të bukur”.
 
Tabloja tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve, të cilët, krahas festimeve të Ditës së Verës, ndoqën nga afër procesin e punës së artistëve, duke marrë me vete edhe një kujtim të veçantë përmes fotove nga piktura gjigande.

Top Channel