Roskam: Serbia po rrezikon stabilitetin në Kosovë

13/03/2017 00:00

Kongresmeni amerikan Peter Roskam shprehet se “çështja e Kosovës do të vazhdojë të jetë në fokusin e ligjvënësve amerikanë”, duke folur për gazetën “Washington Examiner”.

“Kosova po përballet me shumë sfida, të cilat po i shfrytëzon Serbia. Kjo e fundit, e mbështetur nga Rusia po rrezikon stabilitetin në Kosovë”, është shprehur ndër të tjera ai.

Peter Roskam, një republikan që kryeson Komisionin për Partneritet Demokratik në Kongres, qëllimi i të cilit është ndërtimi i marrëdhënieve me legjislaturat në demokracitë e reja, ka vizituar më herët Kosovën, Gjeorgjinë dhe Sri Lankën, tri vende këto ku Rusia dhe Kina sfidojnë administratën e re të presidentit Trump.

Komisioni për Partneritet Demokratik është një komision bipartizan i përbërë prej 4 anëtarësh, dy republikanë dhe dy demokratë.

I pyetur nga “Washington Examiner” lidhur me vizitën në Kosovë të këtij delegacioni, republikani Peter Roskam ka theksuar se Serbia po denigron dhe rrezikon stabilitetin në Kosovë.

“Kosova po përballet me shumë sfida. Ajo ndodhet nën presionin e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave, ndërsa kusht ka miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Opozita, në kundërshtim të kësaj ka hedhur gaz lotsjellës në Parlament. Të gjitha këto i ka shfrytëzuar Serbia, e cila po merr mbështetje të madhe nga Rusia, por edhe nga BE-ja. Kjo i ka krijuar asaj mundësinë të jetë mjaft provokuese në raport me Kosovën, duke rrezikuar stabilitetin atje. Kosova është një vend i moderuar mysliman. Është shumë i vogël, me një popullsi prej vetëm 1.8 milionë banorësh, por nga ky vend, disa vite më parë rreth 600 persona shkuan të luftojnë përkrah ISIS-it. Me këtë rast Kosova ka ndryshuar ligjet, duke i shpallur këta luftëtarë të jashtëligjshëm. Pra në këtë pikë, Kosova është një shtet model nga pikëpamja e një vendi modern mysliman, me të cilin Amerika ka marrëdhënie të mira, ndaj dhe ndihmohet”, ka thënë kongresmeni republikan.

Top Channel