Mbikëqyrja e lojërave të fatit, zgjidhet kompania fituese

13/03/2017 00:00

Sipas njoftimit zyrtar, koncesioni i mbikëqyrjes “online” të industrisë së bixhozit i jepet kompanisë “MC Networking”. Kjo kompani duhet të realizojë investimin për ngritjen e Sistemit Kombëtar, i cili do të monitorojë “online” të gjitha paratë që qarkullojnë në aktivitetin e kumarit në Shqipëri.

Qeveria thotë se, përmes dhënies me koncesion te privati, ajo synon të realizojë një kontroll më të fortë të qarkullimit të parave në industrinë e bixhozit, me qëllimi vjeljen e taksave, shmangien e evazionit fiskal dhe parandalimin e pastrimit të parave.

Në këmbim, koncesionari privat do të vjelë për 30 vite dy tarifa nga të gjitha kompanitë e lojërave të fatit, tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të shlyerjes së investimit fillestar për ngritjen e tij.

Tarifa e parë do të jetë fikse për çdo pajisje apo lojë fati. Veç kësaj, kompanitë e bastëve dhe lojërave të fatit do të paguajnë për shoqërinë koncesionare edhe një tarifë të dytë, si përqindje mbi xhiron bruto për shlyerjen e investimit.

Tarifat janë propozuar nga kompania koncesionare në ofertën  e tenderit. Ministria e financave nuk e ka bërë publike ofertën, por përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e propozuara nga kompania private, duhet të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Top Channel