Indian Wells, emrat e mëdhenj nuk gabojnë

13/03/2017 00:00

Tenistët më të mirë të botës nuk gabuan në ndeshjet e tyre në turneun Masters 1000 të Indian Wells dhe u kualifikuan për në raundin e tretë të këtij turneu.

Novak Djokovic, edhe pse me vështirësi, arriti të kalojë britanikun Kyle Edmund, duke e mundur në 2 sete (6-4 dhe 7-6). Seti i dytë ishte ai ku numri 2 i botës hasi problemet më të mëdha, pasi u gjend në disavantazhin 0-3. Gjithsesi, tenisti serb arriti të kthejë setin në favorin e tij, duke e fituar ate me “tie break”.

Më të lehta i patën ndeshjet e tyre Rafael Nadal e Kei Nishikori. Tenisti spanjoll u kualifikua për në raundin e tretë të Indian Wells pasi mposhti argjentinasin Guido Pella 2-0 me sete (6-3 dhe 6-2). Edhe Kei Nishikori e fitoi 2-0 ndeshjen e tij ndaj britanikut Daniel Evans (6-3 dhe 6-4) dhe si kundërshtar të radhës do të ketë tenistin nga Luksemburgu, Gilles Muller.

Roger Federer i bashkohet Djokovicit dhe Nadalit në raundin e tretë të Indian Wells. Zvicerani, fituesi i 18 titujve Grand Slam, eliminoi në raundin e dytë francezin Stephane Robert, teksa e mposhti 2-0. Ishte një ndeshje e dominuar plotësisht nga 35-vjeçari, i cili i fitoi setet me rezultatin 6-2 dhe 6-1.

Top Channel