850 mjeshtra të akuarelit nga mbarë bota kanë shfaqur interes të marrin pjesë në Bienalen e dytë të Akuarelit që do të organizohet në Shqipëri.

Vetëm 400 prej tyre janë përzgjedhur për të prezantuar punimet nga data 12-17 mars, në edicionin e dytë që këtë vit do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë demonstrimeve “live”. 

Piktori Helidon Haliti, organizator i Bienales së Akuarelit, shprehet: “Vijnë gjithë mjeshtrat më të mëdhenj të akuarelit të momentit. Ata ekspozojnë, shumica prej tyre, dhe një pjesë e madhe do të demonstrojnë “live”. Kemi marrë masat që demonstrimet të jenë të një klasi të lartë. Artistët që do të demonstrojnë do të kenë të gjitha kushtet e nevojshme për t’i shpjeguar edhe studentëve, sepse kanë përballë publikun. Kështu, ne e kalojmë mediumin e akuarelit në një narracion interaktiv”.

Mjeshtri i akuarelit botëror do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë, paraditen e së hënës në një sesion të veçantë.

“Është një artist tejet i veçantë, njihet si artisti më i njohur i botës: Liu Yi, i cili demonstron për herë të parë në Shqipëri. Demonstrimet e tij numërohen me gishta në të gjithë botën. Njerëzit paguajnë për të ndjekur demonstrimet e tij, ndërsa ne do ta sjellim falas. Ai do të trajtojë një modele që vjen nga zona e Mirditës. Ai pikturon vetëm balerina, ndërkohë tek ne ka pranuar ta thyejë këtë traditë”, thotë Haliti.

Kulminacionin, Bienalja e Akuarelit do ta ketë më 14 mars, kur të gjithë artistët do të punojnë bashkë për realizimin e një tabloje 10 metra katrorë në Piramidë, gjatë festimeve të Ditës së Verës.

Top Channel