Albana është lindur në Shqipëri, por bashkëshorti i saj është francez, ndërsa Cecile është lindur në Francë, por jeton në Shqipëri që prej 5 vitesh.

Të dyja janë dhe ndihen tërësisht shqiptare, aq shume saqë që prej 2 vitesh kanë bashkuar forcat për të sjellë në produktet artizanale traditën shqiptare të modernizuar.

“Dashuria për traditën tonë, për njerëzit tanë të mrekullueshëm që punojnë për traditën tonë është ma merr mendja e çdo shqiptari, por edhe e çdo francezi. Mikja ime franceze ka vënë në këto objekte që ne kemi bërë bashkë edhe ajo pjesën e saj të kulturës franceze”, shprehet stilistja Albana Beaussier.

“ ‘Cecile dhe Albana’ është një bashkëpunim i produkteve që ne kemi realizuar si rezultat i udhëtimit tonë nëpër Shqipëri. Kemi takuar artizanë të ndryshëm, të cilët kanë dashuri shumë të madhe për këtë vend dhe e shfaqin këtë përmes produkteve artizanale. Kemi kërkuar në bibliotekë për motive të vjetra për të mbërritur në këto objekte që një grua shqiptare ose e huaj mund të mbajë. Vajzat shqiptare kanë emocione kur mbajnë këto objekte, është një emocion i ripërdorimit të traditave tona të modernizuara”, thotë Cecile Bellemere.

Çanta prej plisi, zbukuruar me shirita shumëngjyrësh, marrë nga breza veshjesh apo mbajtëse bizhush për femra të bëra nga qeleshet, janë disa nga produktet që ato prodhojnë. Por edhe kuti për revista apo lodra fëmijësh që mund të vendosen në një kënd pranë oxhakut; Produkte që zbukurojnë çdo ambient klasik apo modern në Shqipëri apo jashtë saj, e që kur mbajnë edhe elemente shqiptare, të bëjnë të ndihesh edhe më tepër krenar. 

“Duhet që ta zhvillojmë traditën tonë, duhet që njerëzit të punojnë me këto gjera që ne dimë t’i bëjmë kaq bukur, t’i shpërhapim nëpër botë. Unë dua të shoh francezet në Champs Elisee të kenë një çante qeleshe dhe shpresoj qe t’ia arrij kësaj”, thotë Albana.

Top Channel