Spalleti i shqetësuar: Na mungon personaliteti

10/03/2017 00:00

Luciano Spalleti nuk e ka kapërdirë aspak mënyrën se si ekipi i tij humbi ndeshjen në Lion

Trajneri i verdhekuqve është shqetësuar për situatën në të cilën po kalon ekipi, ku në një javë ka humbur 3 ndeshje kyç që mund ti kushtojnë sezonin.

Në fillim humbja me Lacio, që komplikon kualifikimin për në finale të Kupës së Italisë, më pas humbja me Napolin në kampionat, që e shkëputi akoma më shumë nga Juventusi kryesues dhe tani humbja në Lion, që mund ta nxjerrë Romën edhe jashtë kompeticionit të Europa League.

“Nuk duhej ti linim futbollistët e Lion të kontrollonin topin, sepse ata janë të rrezikshëm në të tilla momente. Ndeshja e kthimit do të jetë mjaft e vështirë, sepse Lioni di të shfrytëzojë mirë fushën e hapur”, tha Spalleti.

I pyetur për tre humbjet radhazi dhe shkakun e kësaj situate, trajneri i Romës tha: “Në fakt, nuk kemi shumë karakter. Kur mendojmë se gjërat shkojnë mirë, bëhemi të butë dhe thyhemi lehtë. Mund të them se na mungon personaliteti, gjithsesi duhet të reagojmë sa më shpejt dhe të dalim nga kjo situatë”. 

Top Channel