Ushtria e Kosovës, qeveria kosovare nuk tërhiqet

09/03/2017 00:00

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se qëndron në të njëjtën linjë me presidentin sa i takon krijimit të ushtrisë dhe ka filluar punën për të proceduar projektligjin që e shndërron FSK-në në Forca të Armatosura.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se, pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga sekretari i NATO-s, Stoltenberg, ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri vlerëson se themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk mund të mbetet peng i Serbisë.

“Avancimi i rolit të FSK-së në ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Qeveria është e angazhuar që Kosova të ketë ushtrinë e saj, në suazat e hapësirës së Kushtetutës dhe me mbështetje dhe bashkërendim me partnerët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës bën me dije se do ta trajtojë sipas rregullores projekligjin e propozuar nga presidenti si komandant suprem i FSK-së, në mënyrë që të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe të ketë mbështetje buxhetore.

Pas kërkesës së NATO-s dhe SHBA që ky projektligj të mos procedohet, presidenti Thaçi nuk u tërhoq duke thënë se, qeveria dhe deputetët kosovarë do të bëjnë gjënë e duhur.

Top Channel