“Audicionet e Fshehura” përfunduan suksesshëm duke i lënë vendin një tjetër faze drithëruese, “Betejave”, në “The Voice”.

Që tani fillon përgjegjësia dhe sfida edhe për trajnerët, të cilët kanë kthyer përgjithmonë karriget nga skena, së bashku me entuziazmin për 14 artistët që kanë në skuadra.

Në krah të tyre janë edhe artistë të afirmuar të cilët nuk ngurrojnë të  mbështesin konkurrentët e edicionit të gjashtë të ‘The Voice of Albania’.

Alban Skënderaj ka zgjedhur të ketë si ndihmëstrajner Gent Myftarajn, kompozitor dhe producent i suksesshëm në vend.

Rona Nishliu do të punojë së bashku me Kamela Islamajn, një prej këngëtareve më të vlerësuara të muzikës “live”, gjithashtu pjesë e pa ndarë e ‘The Voice of Albania’. Merland Kademi do të jetë ndihmëstrajner i skuadrës së Xuxit. Vitet e përvojës që kanë mbi supe të dy artistet, do të jenë një shkollë më vete për skuadrën e tij.

Besa ka zgjedhur të punojë me Eugent Bushpepën, një prej artistëve më të vlerësuar në Shqipëri dhe pjesëmarrës në koncerte të rëndësishme jashtë vendit.

Por cilët do të jenë konkurrentët, që do të vazhdojnë rrugëtimin në ‘The Voice of Albania’?

Vetëm shtatë nga secila skuadër do të kalojnë në fazën pasardhëse. Nuk  duhet harruar mundësia e rrëmbimit të artistëve nga trajnerët e skuadrave të tjera. Për katër prej tyre do të jetë një shans i dyte për të qëndruar në spektakël. Cilët do të jenë artistët më me fat?

Betejat nisin të premten dhe ato do të jenë të paharrueshme.

Top Channel