Kosovë, mirëpritet ligji për rregullimin e partive politike

07/03/2017 00:00

Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar sot një tryezë takimi  ku e ka shpalosur punimin me temë “Shqyrtimi i praktikave dhe vlerësimi i nevojës për Ligjin për partitë politike”.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile, si dhe nga organizata joqeveritare.

Në hapje të takimit drejtori ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu tha se ky ligj është i domosdoshëm pasi që i rregullon partitë politike dhe tentativën tonë për t`i mbajtur sa më transparente, sa më të përgjegjshme për t`i ndihmuar demokracisë në Kosovë.

Ndërsa drejtori rezident i NDI Alexander Chavarria tha se ky ligj rregullon atë se çka mund të bëjë një parti politike duke filluar nga rregulloret dhe financat, gjithashtu tha se Kosova duhet të shkojë drejt demokratizimit.

“Ky ligj rregullon atë se çka mund të bëjë një parti politike në Kosovë, dhe Kosova duhet të shkojë drejt demokratizimit”.
 Ndërsa përfaqësuesi nga subjekti politik VV, Dardan Molliqaj tha se nëse duhet të kemi një ligj të veçantë, duhet të dijmë arsyen pse po dojmë këtë ligj.

“Nuk jam i sigurt nëse ka nevojë për ndonjë ligj të veçantë, nuk jam kundër për këtë ligj, por duhet të kuptojmë cila është arsyeja pse po dojmë ligje, mendoj që demokracinë jemi duke e parë si rregull dhe si kufizim i veprimeve”, u shpreh ai.
 
Ndërsa Albert Krasniqi hartues i këtij programi i shpalosi disa nga modelet e ligjit për partitë politike ku ishin, modeli ndalues/dëbues, modeli lejues, modeli promovues, modeli mbrojtës, modeli përshkrues.

Gjithashtu ai tregoi edhe disa programe për praktika të fushatave, të cilat ishin fushata të rregulluara me rigorozitet, të rregulluara në mënyrë të moderuar, dhe minimalisht të rregulluara.
Ai tha se duhet të shikohet se cili nga këto modele i përshtatet partive politike në vend.
 
Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i proceseve politike tha se ne kemi nevojë për këtë ide, mirëpo këtë ligj së pari nuk do ta votojnë partitë politike.

“Ne kemi nevojë për këtë ide, por ky do të jetë ligji të cilin partitë politike në radhë të parë nuk do ta votojnë”.
 
Gjithashtu ai theksoi se kemi mungesë në zbatimin e ligjeve dhe pavarësi të institucioneve.
 
“Ne kemi mungesë në zbatimin e ligjeve dhe pavarësi të institucioneve dhe subjektet politike në Kosovë janë të padisiplinueshme” tha ai.

Top Channel