NBA, Golden State rigjen fitoren, “Splash Brothers” shënojnë 60 pikë

06/03/2017 00:00

Pas 2 disfatave radhazi, Golden State rikthehet te fitorja në NBA. Skuadra e Warriors mposhti New Yorkun në Madison Sqaure Garden me rezultatin 112-105 ku protagonistë u bënë Stephen Curry dhe Klay Thompson.

Të pagëzuar me pseudonimin “Splash Brothers”, këta dy basketbollistë shënuan së bashku 60 pikë për kalifornianët, ndërkohë që për Knicks 28 pikët e Derrick Rose nuk mjaftuan. Në 2 periodat e para ndeshja ishte në ekuilibër të plotë, por në periodën e tretë gjërat ndryshuan në favor të Golden State dhe kjo falë saktësisë në gjuajtje të Curry që 19 nga 31 pikët e tij i shënoi pikërisht në 2 periodat e dyta të sfidës.

Oklahoma City dorëzohet përballë Dallasit në Texas 98-104 duke regjistruar humbjen e 7 radhazi jashtë fushe. Seth Curry ishte ai që spikati për skuadrën teksane me 22 pikë të shënuara, ndërkohë që në krahun tjetër, kjo përballje ishte krejtësisht për t’u harruar për Westbrook pavarësisht 29 pikëve personale të tij. Westbrook u shfaq nervoz në këtë ndeshje duke u ndëshkuar edhe me një faull teknik nga arbitri ndërkohë që gaboi edhe në tentativën e tij për të bllokuar një gjuajtje të Harrison Barnes.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Phoenix fitoi me Boston 109-106, Washington mundi Orlandon 115-114, ndërsa LA Lakers humbi ndaj Orlandos 97-105.

Top Channel