ATP Acapulco, Nadal dhe Querrey përballen në finale

04/03/2017 00:00

Rafael Nadal kalon për në finale të turneut të Acapulcos në Meksikë. Tenisti spanjoll eliminoi në gjysmëfinale kroatin Marin Cilic në një ndeshje që nuk pati histori.

Nadal, numri 6 i botës,  e dominoi këtë përballje me Cilic, të cilën e mbylli në vetëm 83 minuta lojë. 2-0 ishte rezultati i kësaj sfide në favor të Nadal me sete 6-1, 6-2 me 30 vjecarin që regjistroi fitoren e tij të 14 radhazi në këtë turne.

Kundërshtari i Nadal në finalen e Acapulcos do të jetë Sam Querrey. Tenisti amerikan eliminoi në gjysmëfinale atë që nxorri jashte turneut Djokovic, australianin Nick Kyrgios. Ishte pikërisht Kyrgios ai që e nisi më mirë ndeshjen teksa fitoi setin e parë 6-3, por Querrey iu kundërpërgjigj dhe përmbysi gjithcka duke fituar dy setet e tjerë 6-1;7-5.

Në finalen e turneut të Acapulcos, Nadal do të kërkojë të fitojë titullin e tij të parë për 2017 dhe të 70 në karrierën e tij. Herën e fundit që Nadal dhe Querrey u përballën me njëri-tjetrin ishte në vitin 2016 në Turneun Masters të Madridit, ndërkohë që bilanci i përgjithshëm flet për tenistin nga Mallorca; 4 fitore dhe asnjë humbje kundrejt amerikanit.

Top Channel