Banda “rock” e arbëreshëve

21/02/2017 00:00

Ata janë 5 djem të cilët kanë pasion të përbashkët jo vetëm për muzikën, por edhe dashurinë për gjuhën e tyre.

“Peppa Marriti Band” janë një grup “rock”-u nga Kozenca, që lëvron muzikën “rock” që prej 26 vitesh, duke mbajtur gjallë në çdo tekst të këngëve të tyre gjuhën arbëreshe, me qëllimin që kjo gjuhë e komunitetit shqiptar në Itali të mos shuhet.

“Nuk është aspak e lehtë. Ne me muzikën tonë përpiqemi të çojmë para kulturën arbëreshe, një kulturë arkaike që prej viteve 1500, por ne përpiqemi që këtë kulturë të vjetër ta çojmë mes të rinjve, me gjuhën e muzikës “rock”. Këtë e bëjmë sepse në komunitetin tonë gjuha arbëreshe po humbet”, thonë pjesëtarët e grupit.

“Rockarbëresh” dhe “Këndo” janë dy albumet e grupit, ndërsa kanë publikuar edhe videon e tyre të parë “Ajëret”, një përzierje erërash, me të cilat na duhet të jetojmë çdo ditë.

“Ajëret janë erërat. Era shihet si një lëvizje. Era sjell të reja, sjell energji, ndaj kjo është një mënyrë për t’i lëvizur pak ujërat dhe për të reaguar ndaj vështirësive të përditshme, vështirësive të kësaj bote që shpeshherë janë të lidhura me konflikte dhe problematika të ambientit”, shprehen djemtë, të cilët shpresojnë që të kthehen së shpejti në Shqipëri.

“Kemi luajtur para disa kohësh dhe ishte një gjë shumë e bukur. Shpresojmë që disku i ri që del këto ditë do të na bëjë të gjejmë koncerte në Shqipëri, ku të mund të luajmë muzikën tonë për vëllezërit shqiptarë”, thonë anëtarët e “Peppa Marriti Band”.

Top Channel